Kryeministri, Edi Rama, deklaroi sot se fokusi kryesor i qeverisë në zhvillimin e turizmit mbetet stimulimi i hoteleve me 4 dhe 5 yje.
Pavarësisht se kjo masë keqinterpretohet sikur po favorizohen të pasurit, Rama tha se qëllimi është i kundërt.
Në takimin me kryebashkiakët, shefi i qeverisë tha se këto janë struktura që sjellin një tjetër lloj turisti nga ai që vjen thjesht për të kaluar një ditë apo dy ditë, ose nga ai që vjen me “bukë me vete”.
Edi Rama: Së pari, dua të falënderoj për mikpritjen këtu të zotët e shtëpisë në një strukturë të re e cila është rezultat i drejtpërdrejtë i politikës së ndjekur nga ana jonë, për të stimuluar sipërmarrjet në turizëm që adresojnë nevojën e krijimit së strukturave me 5 yje, me 4 dhe 5 yje më saktë, që shpeshherë keqkuptohet ose keqinterpretohet qëllimisht, për t’ju krijuar njerëzve idenë që kjo që bëjmë ne me këto struktura është favorizim i më të pasurve.
Në fakt krejt e kundërta është e vërtetë. Kjo që bëjmë ne me këto struktura dhe rritja e pranisë së tyre në vazhdim në vendin tonë është favorizim i drejtpërdrejtë i ekonomisë kombëtare, favorizim i drejtpërdrejtë i gjithë rrjetit të shërbimeve, favorizim i drejtpërdrejtë i prodhuesve vendas të të gjithë asaj pjese të ushqimit që vjen drejtpërdrejtë nga ferma shqiptare, favorizim i drejtpërdrejtë i konsumit.
Këto janë struktura që sjellin një tjetër lloj turisti nga ai që vjen thjesht për të kaluar një ditë apo dy ditë, ose nga ai që vjen me “bukë me vete”, pra ai lloj turisti që rrit nganjëherë masën, por nuk rrit në mënyrë të ndjeshme të ardhurat në ekonomi. Ky është një fakt i thjeshtë dhe krejtësisht i vërtetueshëm në të gjithë hartën e zhvillimit të turizmit kudo, por kryesisht në Shqipëri dhe mbi të gjitha për të gjithë ata që flasin për nevojën për një punësim të mirë-paguar, këto janë struktura të cilat paguajnë punonjësit me paga që në mesataren e vendit tonë janë paga mbi mesatare, edhe për punët më të thjeshta dhe prandaj e çmoj shumë të gjithë përpjekjen e bërë në këtë drejtim nga të gjithë ata sipërmarrës të cilët duke iu nënshtruar standardeve që kërkohen për të tilla struktura mikpritjeje, faktikisht bëjnë dhe investime të konsiderueshme në fazën e parë. Pastaj dihet shumë mirë që hoteleria është një sipërmarrje fitimprurëse, por që kërkon kapital intensiv në fillim dhe durim vit pas viti për të nxjerrë fitime mbi investimin.
Pa diskutim që ne kemi pasur një sezon surprizues në aspektin e shifrave edhe për ne vetë që ishim të përgatitur për të pasur një sezon më të mirë sesa ai i shkuari, apo sesa gjithë sezonet e tjerë, por realisht sezoni ka qenë surprizues për sa i përket flukseve të të ardhurave për ekonominë. Vetëm në 6 mujorin e parë ne kemi kaluar 1 miliard të ardhura në ekonomi nga turizmi, pra pothuajse dyfishin e vitit të mëparshëm. Flukset e vizitorëve të huaj, deri në gusht kemi qenë në 5.6, 5 milionë e 600 e disa mijë turistë që është e barabartë me faktikisht 1.3 milionë më shumë sesa vitin e kaluar.
Flukset e vizitorëve të shpërndara në të gjithë territorin, kemi patur, e tha ministrja pak, një diversifikim shumë domethënës të fashave të vizituara, nga veriu në jug dhe një prurje shumë inkurajuese për zonën veriore falë edhe investimeve të mirë menduara që kemi bërë, për të përmirësuar infrastrukturën drejt atyre pikave që janë pikat më tërheqëse të veriut dhe që do të vazhdojmë t’i bëjmë dhe sidomos një turizëm që ka sjellë shumë vizitorë në disa qytete, duke filluar nga Tirana.
Tirana ka pasur një bum të jashtëzakonshëm turistësh të cilët kanë preferuar Tiranën dhe qëndrimin në Tiranë dhe kjo shihet, jo vetëm nga hotelet të cilat kanë qenë plot e përplot, por edhe nga numri shumë i madh i apartamenteve të marra me qira përmes agjencive dhe në rrugë digjitale.
Tani të gjitha këto natyrisht janë domethënëse, siç është domethënëse një shifër, e përmendi ministrja e Financave, që është shifra e pjesëmarrjes së turizmit në volumin e përgjithshëm ekonomik të vendit tonë, në prodhimin e përgjithshëm kombëtar të Shqipërisë. Kur ne kemi nisur punën për ta transformuar Shqipërinë në një vend turistik, turizmi ishte rreth 4% kontribut në ekonominë e vendit. Nëse kthejmë kokën pas, – shumëkush e ka harruar se është natyra njerëzore, e keqja harrohet shpejt, e mira nuk mbaron kurrë, s’mjafton kurrë dhe është krejt normale, – kemi pasur një turizëm krejtësisht primitiv dhe jashtë çdo lloj standardi të konkurrencës në këtë mjedis gjeografik ku Shqipëria ka fatin, por ka njëkohësisht edhe peshën e madhe të vështirësisë mes lojtaresh botërorë të turizmit, që nga Italia, te Greqia dhe lojtarësh shumë të fortë rajonal, Mali i Zi, Kroacia, Sllovenia që janë praktikisht me një traditë shumë më të gjatë sesa e jona, që deri përpara 30 vitesh kemi qenë një vend pa turizëm, faktikisht, me detin krejtësisht të ndaluar.
Sot pjesëmarrja e këtij sektori në volumin e përgjithshëm në ekonominë e vendit, në prodhimin e përgjithshëm kombëtar është 17%. Pra, nga 4% në 17%, për të gjithë ata që për një 1001 arsye refuzojnë ta njohin progresin dhe e kanë kujtesën të shkurtër faktikisht. E kanë kujtesën shumë të shkurtër. Kemi qenë një vend dhe kjo gjë ka vazhduar dhe për disa vite për hir të se vërtetës, pavarësisht përmirësimeve të qeverisjes sonë që bënim lajm për pisllëkun, që dilnim nëpër mediat e huaja në periudhë vere si një vend pis, i ndotur.
Jo shumë larg nga këtu kemi pasur një nga gangrenat më të mëdha të Shqipërisë, por dhe një nga gangrenat më të turpshme të kontinentit europian, fushën e plehrave të Durrësit, e cila bënte lajm çdo verë në mediat e botës dhe e cila është bërë subjekt kronikash në televizionet më të rëndësishme në Gjermani, në Angli e kështu me radhë.
Sot, ne mund ta themi me plot gojën që Shqipëria bën lajm për të kundërtën. Në të gjithë mediat e rëndësishme botërore që shkruajnë për turizmin, Shqipëria e nxjerr kokën diku më shumë, diku më pak, por e nxjerr kokën. Pra, është midis vendeve që rekomandohet për t’u vizituar dhe për të kaluar pushimet. Ky është një ndryshim epokal, nuk është një ndryshim i vogël.
Discussion about this post