Nga Ergys Mërtiri
Njëra palë (opozita e Edi Ramës), i dërgoi njerëzit mish për top, që të vriten për llogari të nevojave të tij politike, në pamundësi për të krijuar një opozitë bindëse të aftë për të fituar besimin e qytetarëve. Duke bërë llogari me viktimat, ai i nxiti turmat të sulmojnë godinën, të shkelin perimetrin e sigurisë dhe të rrezikojnë jetën duke u përballur me gardën, ndërsa vetë e ndiqte “shfaqjen” nga larg në kullat përballë.
Në fund, pasi e nxorri përfitimin e vet, një vit më pas u bashkua me Metën, arsyen e gjithë sherrit, për të ndarë me të tavën e pushtetit, duke i harruar viktimat, e madje duke zgjedhur agresorët në poste të rëndësishme publike.
Pala tjetër (Berisha), mbron me kokëfortësi ortakun e kapur në skandal korrupsioni (Metën), duke u vënë përballë reagimit të opozitës e duke marrë gjithë kostot mbi vete në mënyrë absurde. I paaftë të çlirohet nga mendësitë kanunore dhe psikika e cubit, Berisha qëndroi në zyrë për të dëshmuar, jo pa komizëm, gangsterllëkun e vet kompleksiv, çfarë e shtyu të qëllojë mbi turmat duke vrarë 4 vetë. Më pas, përkundër cubllëkut, detyrohet të gënjejë në mënyrë qesharake për të justifikuar krimin duke thënë se të vrarët u qëlluan me armë të sofistikuara shërbimesh sekrete si çadra-pistoletë, nga brenda vetë turmës prej njerëzve të Ramës. Për këtë madje, nxorri paturpësisht mjekët e spitalit të deklarojnë se viktimat janë qëlluar nga një distancë e afërt, nga brenda turmës. Në fund faturën politike e paguajti vetë, pasi ortaku e la me gisht në gojë, duke shkur me “armikun” e duke e ndëshkuar me një milion vota.
Pala e tretë (Meta), pasi u kap me video duke ndarë paret me një ministër të vetin, ia hodhi paq, jo vetëm duke dalë pa lagur, por duke ia futur atij që e mbrojti, për të sjellë në pushtet atë që e sulmoi.
Sot pasi palët janë rindarë e bashkuar, Rama vazhdon të mbajë me thonj një pushtet të sakatuar nga skandale shumë më të turpshme se ai i Metës, Meta rikthehet tek dashuria e tradhtuar dhe nuk pranon të lëshojë pushtet, edhe pse i sakatuar moralisht nga piruetat dhe skandalet. Berisha nuk pranon të dalë në pension, megjithë moshën, nivelin e tmerrshëm të konsumimit, degradimin e gjatë moral mes skandalesh, katastrofën ku e ka futur opozitën dhe izolimin e turpërimin ndërkombëtar, por mbahet me thonj, i gatshëm të bëjë çdo kompomis e poshtërsi vetëm të qëndrojë në politikë, pa e çarë kokën se po i jep jetëgjatësi një pushteti të degraduar si ky i Ramës.
Të humburit e mëdhënj janë, si gjithmonë, qytetarët e thjeshtë, që i mbajnë këta mbi shpinë prej dekadash, të mbetur të pashpresë në një vend ku të gjithë duan të ikin. Jo vetëm kaq, por ka ende njerëz të gatshëm që, për ndonjë vend pune a ndonjë përfitim banal, në mos për ndonjë ideal qesharak krejt pa sens tashmë, brohorasin, shahen e shtyhen, e madje edhe rrihen e vriten për ta. Sigurisht që këta janë pak, por janë mjaftueshëm për ta mbajtur situatën në këtë batak prej të cilit i vetmi shpëtim mbetet emigrimi.
Discussion about this post