Eneo Bitri u prezantua te skuadra çeke e Banik Ostravas. Mbrojtësi shqiptar firmosi për 1.5 vite.
Futbollisti kaloi vizitat mjekësore në mesditën e së hënës, ndërsa më pas firmosi kontratën më klubin e ri.
Ai do të luajë me Banik Ostrava-n për 1.5 vitet e ardhshme, e në kontratë është opsioni për të rinovuar edhe për një tjetër sezon.
Shefi i departamentit sportiv të klubit, Ludek Mikloshko tregoi se si u arrit akordi me lojtarin e kombëtares shqiptare.
“Ne po e ndiqnim prej disa kohësh futbollistin. Dhe nga lojtarët që kishim përzgjedhur, pika më e fortë e tij është se mund të bëhet pjesë e lojës. Ai është i lëvizshëm për gjatësinë që ka dhe mjaft i aftë në lojën në ajër. Madje edhe mund të shënojë gol.”, tha ai për sajtin zyrtar të ekipit.
Në sezonin e shkuar, Bitri shënoi 4 gola për Partizanin, e gjithashtu dy të tjerë në raundin paraeliminator të Ligës së Europës, i huazuar te skuadra kazake e Astanas. Ai gjithashtu luajti në tri takime për përfaqësuesen kuqezi në 2022.
Sipas Mikloshko, fakti që Bitri është 26 vjeç, ka përvojë në takimet e vështira dhe ka luajtur në stadium të mbushura plot do ta ndihmojnë që të përshtatet shpejt me ekipin e Banik Ostravas.
Discussion about this post