Në larminë e zakoneve e ngjyrave të Tiranës, mozaik i pasuruar me shumë kultura, është bërë tanimë pjesë prania e vizitorëve, e turistëve të huaj.
I sheh dhe ndërrohesh me ta ngado. Jo vetëm në sheshin qendror, apo në zona të caktuara si ish-blloku, muzeu, por dendur i has ato në lagje, në rrugica, në kafe, në dyqane.
Të huajt, janë bërë një nga tiparet e Tiranës, gjithnjë e më kozmopolite.
Ndryshe nga vite më para, tanimë ata ngjajnë të integruar. Sikur janë ketu të përhershëm. Nuk ndihen aspak në një vend tjetër, e kupton këtë se sa të çlirët e komodë ndihen, dhe as vendasit, nuk i shohin aspak si të ndryshëm.
Vizitorë të çdo moshe, që flasin anglisht, gjermanisht, frengjisht, hollandisht, polonisht, italisht, turqisht, i ndesh sikur një shëtitje të vogël të bësh në zemrën e Tiranës.
Por, ata i dallon edhe në lagje, edhe në pallatet ku ne jetojmë, i sheh në marketet ku ne blejmë, në restorante, piceri, dhe lokale nate.
Ka një dyndje. Këtë e dëshmojnë jo vetëm statistikat, të dhënat e atyre që mbërrijnë në aeroport, apo në pika kufitare, bilanci i hotelerisë, apo rritja e çmendur e kurbës së platformave on-line, por sekush e prek vete me shqisat e tij, në secilën anë të kryeqytetit.
Janë këtu për studime, janë për biznes, janë për një fundjavë. Ikin dhe vijnë prapë. Tirana është bërë destinacion dhe ka një vend tanimë të sigurtë në hartën e udhëtarëve.
Nga viti në vit, ka një rritje, dhe një ndryshim në cilësi. Nuk janë tanimë vetëm ata të organizuarit me autobuzë, që kanë interes për historinë, që qendrojnë disa orë, shohin nga afër gjurmët e regjimit të diktaturës, apo shkëputen një vrap deri në Krujë për tek kalaja e Heroit Kombëtar.
Qartazi, ti i shquan tanimë të huajt që e kanë marrë shtruar, dhe janë këtu për të shijuar Tiranën, aromën, shpirtin e një metropoli, që i ofron sot të gjitha. Eshtë modern dhe me gusto, me biçikleta e me range, taksi elektrike e benza të vjeter, si një qendër e madhe europiane, e që prapë ka ditur të ruajë disa zakone që mbeten ekoztike e tërheqëse për miqtë.
Dhe padyshim, çdo europian mund të shijojë këtu pije e kulinari vendase duke paguar sa gjysma ose 1/3 treta e çmimit në Londër fjala vjen, në Milano, apo dhe në Bari.
Ushqimi ngelet në Tiranë një prej magjive që zbulon një i huaj, dhe vakt i mrekullueshëm me një buxhet modest.
Po mbi të gjitha, Tirana gëlon nga rinia, nga energjia, nga studentët e profesionistët, që e bëjnë të duket ndoshta një prej metropoleve më vital në kontinent.
Dhe çdo sherbim që një i huaj kërkon të gjejë, e ka të garantuar. Asgjë më pak se kudo tjetër, nisur që nga strehimi, qarkullimi, shtoi kesaj lehtësinë për të komunikuar e për t’u marrë vesh me vendasit, e mikpritjen e jashtëzakonshme. Përpos asaj bukurie, klime e dielli, me të cilën perendia e ka bekuar këtë qytet, e këtë vend.
Miksi i gëzueshëm i pallateve të vjetra të stilit komunist me ndërtimet e reja me arkitekturë moderne, rrokaqiejt impresionues e shtëpitë me qerpiç, xhamia e vjetër e ndanë saj katedralja, opera dhe kinemaja, parku gjigand vetëm 5 minuta larg qendrës, argëtimi e jeta e orëve të vona që nuk ndalet, e bëjnë Tiranën një qytet që zien, miqësor, e ku çdo vizitor të kërkojë të kthehet prapë, radhën tjetër me miq të rinj, të cilëve u ka folur për këtë qytet që transformohet marramendthi çdo ditë, çdo javë, çdo vit.
Të huajt e kanë bërë kryeqytetin pjesë të tyre, dhe ti e dallon tek përpjekja për të mësuar shqip, veçanërisht fjalët kyçe përshëndetëse.
Dhe prej; një local beer please, tanimë ata thonë; një birrë vendi të lutem.
Discussion about this post